22
“Në qoftë se shikon kaun ose delen e vëllait tënd që e kanë humbur rrugën, ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë, por do ta marrësh përsipër t’ia çosh përsëri vëllait tënd. Dhe në qoftë se vëllai yt nuk banon afër teje dhe ti nuk e njeh, do ta çosh kafshën në shtëpinë tënde deri sa yt vëlla të fillojë ta kërkojë; dhe atëherë do t’ia kthesh. Në të njëjtën mënyrë do të veprosh me gomarin, rrobat dhe çfarëdo send tjetër që yt vëlla ka humbur dhe ti ke gjetur; ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë. Në qoftë se ti shikon gomarin e vëllait tënd apo kaun e tij të rrëzuar gjatë rrugës, ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë, por do të ndihmosh tët vëlla për t’i ngritur. Gruaja nuk do të veshë rroba burrash, as burri nuk ka për të veshur rroba grash, sepse kushdo që bën gjëra të tilla neveritet nga Zoti, Perëndia yt. Në rast se rrugës të rastis të gjesh mbi një dru ose për tokë një fole zogu me gjithë të vegjëlit ose me vezët dhe nënën që ngroh të vegjëlit apo vezët, nuk ke për të marrë nënën me të vegjëlit; do të lesh nënën të ikë dhe do të marrësh për vete të vegjëlit, që ti të kesh mbarësi dhe të zgjatësh ditët e tua. Kur të ndërtosh një shtëpi të re do të ngresh një parapet rreth çatisë së saj për të mos tërhequr një faj gjaku mbi shtëpinë tënde, në rast se dikush rrëzohet nga çatia. Nuk do të mbjellësh në vreshtin tënd farëra të llojeve të ndryshme, me qëllim që prodhimi i asaj që ke mbjellë dhe renta e vreshtit të mos preken. 10 Nuk do të punosh njëkohësisht me një ka dhe një gomar. 11 Nuk do të veshësh rroba të bëra me një stof të përzierë leshi dhe liri. 12 Nuk do të vësh theka në katër cepat e mantelit me të cilin mbulohesh. 13 Në qoftë se një burrë martohet me një grua, hyn tek ajo dhe pastaj fillon ta urrejë, 14 dhe e padit për gjëra të turpshme dhe i nxjerr një nam të keq, duke thënë: “Mora këtë grua, por kur iu afrova nuk gjeta tek ajo shenjat e virgjërisë”, 15 babai dhe nëna e së resë do të marrin shenjat e virgjërisë së saj dhe do t’ua tregojnë pleqve të qytetit, te porta; 16 dhe babai i së resë do t’u thotë pleqve: “Unë ia dhashë time bijë për grua këtij burri, por ai filloi ta urrejë, 17 dhe tani e akuzon për gjëra të turpshme, duke thënë: Nuk gjeta tek jote bijë shenjat e virgjërisë; por këto janë shenjat e virgjërisë të bijës sime”. Dhe do të shpalosin çarçafin përpara pleqve të qytetit. 18 Atëherë pleqtë e atij qyteti do të marrin bashkëshortin dhe do ta dënojnë me rrahje; 19 dhe duke qenë se i ka hapur një nam të keq një virgjëreshe të Izraelit, do t’i vënë një gjobë prej njëqind siklash argjendi, që do t’ia japin të atit të së resë; kështu ajo do të mbetet bashkëshorte e tij dhe ai nuk do të mund ta përzërë deri sa të rrojë. 20 Por në qoftë se vërtetohet fakti dhe tek e reja nuk janë gjetur shenjat e virgjërisë, 21 atëherë do ta nxjerrin të renë te pragu i shtëpisë së babait të saj dhe njerëzit e qytetit të saj do ta vrasin me gurë, dhe ajo ka për të vdekur, sepse ka kryer një vepër të turpshme në Izrael, duke u bërë kurvë në shtëpinë e atit të saj. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri juaj 22 Në rast se një burrë gjendet në shtrat me një grua të martuar, do të vriten që të dy, si burri që ka rënë me gruan dhe gruaja. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri i Izraelit. 23 Kur një vajzë e virgjër është e fejuar, dhe një burrë e gjen në qytet dhe bie në shtrat me të, 24 që të dy do t’i çoni në portën e atij qyteti dhe do t’i vritni me gurë, dhe ata do të vdesin: vajza sepse, ndonëse ishte në qytet, nuk bërtiti, dhe burri sepse ka çnderuar gruan e të afërmit të tij. Kështu do ta shkulësh të keqen nga gjiri yt. 25 Por në rast se burri gjen një vajzë të fejuar, në arë, e dhunon dhe shtrihet me të, atëherë do të vritet vetëm burri që është shtrirë me të; 26 por nuk do t’i bësh asgjë vajzës; kjo nuk ka asnjë mëkat që meriton vdekjen, sepse ky rast është si ai kur një njeri ngrihet kundër të afërmit të tij dhe e vret; 27 në fakt ai e gjeti në arë; vajza e fejuar ka bërtitur, por nuk kishte njeri që ta shpëtonte. 28 Në rast se një burrë gjen një vajzë të virgjër që nuk është e fejuar, e merr dhe bie në shtrat me të, dhe kapen në flagrancë, 29 burri që është shtrirë me të do t’i japë atit të vajzës pesëdhjetë sikla argjendi dhe ajo do të bëhet bashkëshortja e tij, sepse e ka çnderuar dhe nuk mund ta përzërë sa të jetë gjallë. 30 Asnjeri nuk ka për të marrë gruan e atit të tij, as ka për të ngritur skajin e mbulesës së atit të tij”.